Stani im

Stanet – një vend mjaft atraktiv për fëmijët janë stanet. Shumë pak fëmijë kanë pasur apo mund ta kenë mundësinë ta shohin një stan, prandaj sot do ta krijojmë një stan në kushte shtëpie. Fillimisht prindi duhet t’i tregojë fëmijës se çfarë është stani. Sigurisht që mund të informohen edhe nga më të moshuarit duke folur për atë se si funksionon një stan. Ju duhet të keni kujdes që ta informoni fëmijën mbi rëndësinë e qenit që kujdeset për bagëtinë, kështu që do të keni mundësi të diskutoni me fëmijët që ashtu si qeni i stanit që kujdeset për bagëtinë ashtu edhe njerëzit duhet të kujdesen për njëri-tjetrin. Nxiteni fëmijën me pyetje se “Për kë mund të kujdeset ai/ajo?!. Tregoni fëmijës për nevojat e kafshëve dhe në të njëjtën kohë për nevojat e njeriut. Fëmijët duhet t’i kuptojnë ngjashmëritë dhe dallimet në plotësimin e nevojave. Me këtë rast ju mund të diskutoni me fëmijën tuaj se cili është roli i njeriut në kujdesin për kafshët. Ndërkohë mund të flisni edhe për dëshirat e fëmijës për të pasur një kafshë në shtëpi.

Në fund inkurajoni fëmijën që t’i vizatojë disa dele apo dhi, të cilat mund t’i presë me gërshër dhe t’i ngjesë në një karton duke e krijuar stanin e tij/saj. Mos harroni që ta vendosë edhe qenin i cili kujdeset për to.