Materialet e nevojshme; Për këtë aktivitet ju nevojiten vetëm tubat e letrës që mbeten pasi harxhohet letra e kuzhinës apo ajo e tualetit. Në mungesë të tyre mund të bëhen tuba letre me letër të bardhë që ngjiten me ngjitës ose me brum nga uji dhe mielli. Një shkop i drejtë dhe një top brumi me ujë e miell i fortë si për brumin e byrekut( ndoshta pak më i fortë). Nëse keni plastelinë, mund të përdoret në vend të brumit.
Fillimisht merret topi i brumit apo plastelina dhe vendoset në të shkop dhe lihet që të thahet derisa të zhvillohet pjesa tjetër e aktivitetit. Ndërkohë sigurohen tubat e letrës apo me ndihmën e fëmijës krijohen ato. Pastaj ftohet fëmija që të pres me gërshërë secilin prej tyre afërsisht tre gishtat e fëmijës. Ai/ajo duhet të krijojnë 20 copa të tilla. Fëmija me ndihmën e prindit do të shkruaj numrat nga 1 deri në 20 në secilin prej tyre me marker, shkumës apo çfarëdo lapsi që ndodhet në shtëpi. Përzihen të gjithë numrat dhe kërkohet nga fëmija që t’i vendos sipas rendit. Nëse fëmija gabon, duhet të filloj nga e para. Prindi duhet ta lërë fëmijën që të gabojë sepse përsëritja e veprimit krijon mësim më të qëndrueshëm sesa t’i tregohet fëmijës.