Shahu simetrik

Materialet dhe mjetet: topa me ngjyra, kapakë me ngjyra të shisheve, fleta me ngjyra, shirit ngjitës, shporta apo pjata për t’i vendosur topat (letrat me ngjyra, kapakët) etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Në dysheme vendoset shiriti duke formuar një katror të madh me 36 katrorë të vegjël. Në mes të katrorit vendoset një shirit ngjitës me ngjyrë tjetër apo ngjyroset me pak ngjyrë për të dalluar vijën ndarëse të lojtarëve.

Lojtari i parë, fëmija, vendos topin në një katror dhe prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e duhet të vendosë në vijën e njëjtë duke parë se sa katrorë është afër apo larg vijës ndarëse apo të mesit. Fëmija e fillon lojën sepse kështu e kupton më mirë se si duhet të veprojë kur t’i vijë radha.

Në fillim të lojës vendoset një top dhe lojtari tjetër menjëherë vendos topin e tij, por pastaj vendosen topat në të gjitha rreshtat dhe fëmija duhet të vendosë topat në simetri me topat e tjerë. Gjatë vendosjes së topave prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e përdor fjalën “simetri”, p.sh., nëse fëmija nuk e ka vendosur në simetri, i thuhet: “Gjej simetrinë e topit të kuq”.

Në mungesë të topave mund të përdoren kapakë të shisheve apo edhe letra me ngjyra duke i përgatitur si monedha me karton.