Shtatë lule për 7 Mars
Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë A4, fleta me ngjyra, gërshërë, ngjitës, laps, ngjyra.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: çfarë festa na sjell muaji mars? Si i festojmë? Si urojmë me fjalë? Cila festë festohet e para? Sa e do edukatoren? Sa lule duhet të punojmë për Festën e 7 Marsit? etj.
Merret fleta e bardhë A4 dhe vizatohen shtatë bishta lulesh. Përzgjidhen fletët me ngjyra sipas dëshirës së fëmijës ndërsa prindi apo kujdestari i palos në katror me madhësi që është në hapësirë të mjaftueshme për shtatë lulet në fletën e bardhë. Prindi apo kujdestari modelon një lule dhe më pas, së bashku me fëmijën, për çdo thyerje që prindi apo kujdestari e bën, fëmija ndjek hapat e palosjes. Pas palosjes, me ngjitës ngjiten në maje të bishtave të luleve. Gjatë modelimit të secilës lule pyeteni fëmijën: sa lule ke punuar? Edhe sa lule duhet punuar që të jenë shtatë? Edhe gjatë ngjitjes së luleve në fletën e bardhë pyeteni fëmijën si do t’i ngjisë në letrën e bardhë. Provojeni që, para se të ngjiten me ngjitës, të vendosen në vendet e dëshiruara, në kombinimin e ngjyrave të luleve.
Sipas dëshirës mund të mësohet edhe kënga “Edukatores sime”
Të kam gjithmonë në zemër / gjithmonë unë të dua / edukatore e dashur, si nënë je për mua. Sot lulet më të bukura, dhuratë unë t’i dhuroj / nga zemra ime e vogël 7 Marsin ta uroj.