Rrjeta e merimangës

Materialet dhe mjetet: ngjitës i bardhë i letrës, ose mund të jetë me ngjyra, e në mungesë të tij mund të përdoret çdo lloj materiali që keni në shtëpi, si miell, kripë apo ndonjë pluhur i bardhë, por mund të përdoret edhe fjongo apo fije peri i trashë. Ju nevojiten disa copa kartash prej letre në formë katrori.

Zhvillimi i aktivitetit: Aktiviteti i sotëm lidhet me insektin e merimangës, i cili është i shpeshtë në mjedisin në të cilin jetojmë. Sot fëmija, me ndihmën tuaj, do ta ndërtojë një rrjetë merimange dhe do ta përdorë për ta zhvilluar aktivitetin e gjetjes së objekteve të cilat gjinden të fshehura në mjedisin ku krijohet rrjeta, si në figurën e bashkëngjitur. Siç shihet edhe nga figura, për ta ndërtuar rrjetën ju mund të përdorni materiale që fëmija dëshiron. Fillimisht lojën e drejton prindi, i cili përgatit disa karta me nga një cilësi të objektit të cilin e ka fshehur diku në mjedis jashtë ose në shtëpi. Në vende të ndryshme të rrjetës së merimangës vendosni kartat. Fëmija kërcen në rrjetë, e merr kartën e cila mund të ketë të vizatuar ngjyrën e objektit, pastaj kërcen përsëri dhe merr kartën e cila ka të vizatuar formën e objektit, e kështu me radhë, derisa fëmija ta kuptojë se për cilin objekt bëhet fjalë. Më pas, fëmija duhet ta gjejë objektin e fshehur, e kur është afër ta gjejë, prindi thotë: “nxehtë”, e kur është larg, prindi thotë: “ftohtë”.

Gjithashtu, fëmija mund t’i përgatisë kartat dhe prindi duhet ta gjejë objektin.