Loja me kukulla

Materialet dhe mjetet: letër e bardhë, ngjitës dhe ngjyra druri ose marker. Gjithashtu mund të merrni një qese të letrës që e përdorin furrat e bukës.

Zhvillimi i aktivitetit: Së bashku me fëmijën, krijoni një qese të letrës, në të cilën fëmija do të vizatojë një personazh të cilin e pëlqen më së shumti. Ndërkohë që dhe ju si prind do të përgatisni personazhin tuaj. Fillimisht e palosni letrën në dysh, duke ia ngjitur fundin. Pastaj e ngjisni edhe në njërën nga anët e hapura, duke lënë vetëm njërën anë për të futur dorën. Pasi ta keni përgatitur, bëni vizatimin e dëshiruar. Kur t’i keni përgatitur personazhet, të dy së bashku do të bëni një dramë të vogël me kukullat e letrës, me temë “Shëtitje në një mal së bashku”. Kështu do të keni mundësi të flisni me fëmijën për të gjithë hapat e nevojshëm për përgatitje që i duhen një fëmije për të shkuar në shëtitje si dhe çfarë mund të bëjë në një shëtitje. Si prind, provoni ta vendosni fëmijën në dilema të ndryshme, p.sh., nuk e di çfarë të vesh,  a po më ndihmon? Nuk e di se si mund ta gjej rrugën në pyll? Vrava këmbën, çfarë duhet të bëj tani? Në këtë mënyrë ju e ndihmoni fëmijën në të menduarit alternativ dhe njëkohësisht si t’i zgjidhë problemet e ndryshme. Ky dramatizim duhet të shoqërohet me shumë shaka dhe situata të këndshme.  Fëmijëve ju pëlqejnë shumë dramatizimet.