Retë dhe shiu

Materialet dhe mjetet: kavanoza, ujë i nxehtë, akull
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën duke e pyetur: Çfarë janë retë? Çfarë përmbajnë retë? A janë të forta apo të buta? Si e mbajnë shiun? Kur shiu dhe bora bien nga retë? etj. Pra, retë janë avuj që janë ngritur lart në qiell. Kur avujt të ngrihen lart nga toka janë të nxehtë, por kur të ngrihen lart në qiell aty është ajri i ftohtë. Kur takohen ajri i nxehtë me ajrin e ftohtë, krijohen retë. Për ta parë se si krijohen retë do ta provojmë vetë.
Prindi apo kujdestari merr një enë me ujë të nxehur më parë dhe e mbush fundin e kavanozit me ujë të nxehtë. Fëmija merr një pjatë, e mbush me kube akulli dhe e vendos mbi kavanoz, apo akulli mund të vendoset edhe mbi kapakun e kavanozit shpejt sapo uji i nxehtë të hidhet në kavanoz. 
Që të shihen më mirë retë, ujit mund t’i shtohet pak ngjyrë e kaltër, apo të vendoset mbi kavanoz edhe një letër e errët. Kur avulli i nxehtë ngrihet lart do të vihet re formimi i reve për pak sekonda. Pas disa minutave, retë do të zhduken ngase nuk ka më shumë dallime mes të nxehtit dhe të ftohtit në kavanoz. Eksperimenti mund të përsëritet sipas dëshirës së fëmijës.