Rezultati i pritur: Fëmija identifikon trupin gjeometrik të sferës
Materialet dhe mjetet: monedha 20 cent apo 50 cent etj., fletë e bardhë A4, laps, ngjyra, (plastelinë apo letra kuzhine etj.).
Zhvillimi i aktivitetit: Prindi apo kujdestari së pari ia lexon gjëegjëzën fëmijës “Gogla–gogla bashkë rrinë, me shije të ëmbël në gojë të shkrijnë” (kokrrat e rrushit). Bashkë me fëmijën mundohuni të gjeni në shtëpi objekte, sende që ngjajnë si kokrra e rrushit (p.sh. llampë, top, ndonjë frutë etj.) dhe sende që kanë formë rrethore (p.sh. pjatë, orë e sende të mundshme në kuzhinë e shtëpi). Merrini nga të dy llojet, trup dhe figurë gjeometrike. Tregojini fëmijës se kur shohim rrushin në fotografi na duket se kokrrat kanë formë rrethore por kur e marrim në duar shohim se ato ndryshojnë nga rrethi.
Merret një fletë e bardhë A4 dhe prindi apo kujdestari vizaton bishtin dhe gjethen e kalaveshit të rrushit dhe fëmija me monedhën e zgjedhur kopjon kokrrat e rrushit dhe më pas i ngjyros. Me plastelinë, me brumë (apo me letra kuzhine duke i njomur nga pak me ujë) formon kokrrat e rrushit. Pyeteni fëmijën se çfarë ka punuar, si duken kokrrat e rrushit në vizatim e si në modelimin me plastelinë.
Pra, derisa i vizatojmë kokrrat e rrushit, ato kanë formë rrethore, por kur i modelojmë, ato kanë formën e kokrrave apo sferike.
Me fëmijën mund të luani edhe lojë fjalësh, p.sh. Rroni rrotulloi rrotën rreth rrënjës së rrushit, apo edhe të krijoni lojën tuaj por me theks te tingulli “Rr”.