Piktura ime

Pranvera është një ndër stinët më të pëlqyera për fëmijët.

Ngjyrat e shumta të luleve janë një mundësi  për të eksploruar dhe për të vërejtur, për ta përjetuar të bukurën por edhe për ta nxitur kreativitetin e tyre duke përdorur materiale dhe teknika të ndryshme.

Përveç njohjes së ngjyrave bazë, fëmijët mësojnë se me kombinimin e disa ngjyrave fitohen ngjyra të reja.

Është shumë e rëndësishme t’i lëmë që vetë ta zbulojnë magjinë e ngjyrave.

Për këtë aktivitet nevojiten ngjyra të ujit dhe në vend të brushës të përdoren materiale të ndryshme. Mund të punohet me pastruese për vesh, letër kuzhine apo toaleti, me gishta, me gjethe dhe lule të ndryshme, kapëse rrobash duke vendosur pak pambuk në to, etj.

Mundësisht pikturimi të bëhet në ambient të hapur.

Shtroni pyetje fëmijës: Nëse nuk ke brushë si do ta pikturosh një lule? Po tjetër? Tjetër?, nxiteni që ai/ajo të japë sa më shumë ide për mundësinë e të pikturuarit në mungesë të brushës.

Fëmijës i ofrohen materiale që janë  të disponueshme dhe përzgjedhja e tyre bëhet nga vetë fëmija.

Pas përfundimit të pikturës e ekspozoni atë në një vend ku mund të shihet lehtë. Nxiteni fëmijën të flasë për atë se: Çfarë ka pikturuar? Me çka? Çfarë tjetër do të donte të pikturonte pas kësaj pikture? etj.