Pemët dhe perimet

Rezultati i pritur: Fëmija emërton dhe ndanë pemët nga perimet

Materialet dhe mjetet: pemë dhe perime që gjenden në kuzhinë, ilustrime të ndryshme me pemë dhe perime, apo edhe pemë e perime lodra, shporta pemësh apo enë(pjata).

Zhvillimi i aktivitetit: Merren pemët dhe perimet të cilat gjenden në shtëpi dhe mbushet një shportë me të gjitha nga një lloj. Bashkëbisedohet me fëmijën se çfarë kemi në shportë. Secila pemë dhe perime përshkruhet se çfarë forme dhe çfarë ngjyre ka. P.sh., fëmija merr një mollë dhe e përshkruan: “Kjo është mollë, ka formë sferike dhe ka ngjyrë të gjelbër. Ky është rrushi me kokrra të vogla dhe ngjyrë të zezë, ka shije të ëmbël dhe ndonjëherë edhe të thartë”. Për çdo pemë flasim edhe për shijet, p.sh. “Hmmm.. kjo është shumë e shijshme. Kjo është shumë e thartë”, dhe ndërrojmë shprehjet e fytyrës kur flasim për të thartën, ndërsa kërkoni edhe nga fëmija që ta mendojë shijen e thartë dhe imitoni bashkë me të, qeshni së bashku me fytyrat tuaja, pasi loja dhe aktivitetet kanë gjithmonë argëtimin si qëllim primar.

Përshkruhet çdo pemë dhe perime në shportë.

Pas përshkrimit fëmija merr dy shporta apo pjata dhe prindi apo kujdestari kërkon nga ai/ajo që t’i ndajë pemët nga perimet. Po ashtu, fëmija pyetet se çfarë mund të bëjmë me pemë e çfarë me perime?

P.sh., me pemë mund të bëjmë lëngje, reçel, çaj etj., ndërsa me perime mund të përgatisim supë, sallatë etj.

Pyeteni fëmijën se çfarë dëshiron të përgatisë me pemë dhe çfarë dëshiron të përgatisë me perime.

Së bashku me fëmijën përgatisni një sallatë të pemëve dhe një sallatë të perimeve.

Fëmija i provon shijet e secilës, dhe vendos se me cilat perime do të ziejë supë, apo me cilën pemë do të ziejë çaj.

 

Nxiteni fëmijën të provojë edhe shijet e frutave të tjerë që nuk i ha me shije, apo të kombinojë dy-tri fruta për një shije më të mirë dhe për më shumë vitamina.

 

 

 

 

 

 

Shkarkoni fletën e punës KËTU.