Zbulojmë dhe krijojmë
Në një enë vendosni fruta të prera. Vendoseni enën përpara fëmijës, sidomos kur fëmija është më i vogël, dhe lejojeni që të manipulojë me copat e prera të frutave.
Ai/ajo mund t’i shtrydhë, mund t’i ndajë në copa, ndërsa ju nxiteni që edhe t’i provojë. Përmes këtij aktiviteti, fëmija do ta zbulojë/zhvillojë shijen dhe do ta njohë fortësinë e frutit. Mos u merakosni nëse bëhet pis.
Ju mund edhe të vendosni copëza të ndryshme të frutave në tepsinë me forma ose në mbajtëset e vezëve dhe t’i mbuloni ato me letër, me pecetë ose me ngjitës. Fëmija i zbulon copëzat e frutave duke e larguar letrën, mbulesën ose ngjitësin. Përgëzojeni fëmijën kur e zbulon copën e frutit dhe nxiteni ta hajë atë.
Me fëmijët pak më të rritur, sot ju duhen disa ngjyra të ujit, disa pastruese të veshëve [sikur në foto] dhe disa fletë të bardha ose fletë në të cilat janë të vizatuara format e frutave. Kjo është e tëra që ju nevojitet. Fëmija do të krijojë vetë çfarë i pëlqen ose do ta ngjyrosë cilindo frut që dëshiron.