Kapela ime
Materialet dhe mjetet: letër me ngjyrë kafe apo karton, letra me ngjyra (mirë do të ishte letra me xixa dhe ngjitës), laps, gërshërë, ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën duke e pyetur “Çfarë materiale nevojiten për të punuar një kapele të tillë?”. Fëmija numëron materialet e nevojshme për punimin e kapelës. Pas grumbullimit të materialeve, pyesni fëmijën se cilat mjete na duhet për punë. Fëmija numëron mjetet e nevojshme.
Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e i vizaton pjesët e kapelës (një shirit i cili do të kapet me ngjitës si rreth në kokë, një formë koke, brirët, veshët, sytë, hundën dhe faqet). Fëmija i pret me gërshërë pjesët e vizatuara. Pasi të priten të gjitha pjesët, fëmija shikon modelin dhe i ngjet pjesët e prera në vendin e duhur. Pasi të ngjiten pjesët, prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e ia vë në kokë për të matur perimetrin e kokës duke e bërë shenjën me laps. Fëmija i bashkon pjesët e shiritit të kapelës dhe e shikon veten në pasqyrë.
Mund të luhet lojë imagjinare “Unë jam dreri”. Fëmija flet për gjithë çfarë di për drerin, p.sh. “Unë jetoj në pyll, krenohem me brirët e mi” etj.