Kaloj pengesat
Materialet dhe mjetet: Kuti kartoni, shkopinj (apo lapsa me ngjyra), gota letre apo plastike, ngjitës etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Varësisht sipas madhësisë së pakos vendosen pengesa dhe tasa. Merret kutia e kartonit e cila më parë hapet me ndihmën e prindit apo kujdestarit. Anash pakos thyhet një pjesë e ngushtë kartoni si pengesë për të mos dalë jashtë kutisë kilikerat (në mungesë të kilikerave, mund të përgatiten toptha të vegjël nga plastelina, apo edhe të përdoren rruaza të mëdha). Shkopinjtë vendosen me ngjitës pjerrtas duke planifikuar më parë rrugën nga do të lëvizin kilikerat për tek gotat. Pasi të përfundojë punimi i pakos, pakoja duhet të vendoset pjerrtas duke u ngritur nga njëra anë dhe në pjesën e poshtme qëndrojnë tasat.
Loja fillon duke e lëshuar nga një vend i dëshiruar një kiliker për ta parë rrugën që do ta kalojë dhe te cila gotë do të bie. Loja vazhdon edhe duke përzgjedhur rrugë të tjera dhe duke lëshuar më shumë kilikera në të njëjtën kohë. Pasi të bien kilikerat në gota, numërohen kilikerat, në mënyrë që ta shohim se cila gotë ka më shumë e cila më pak.