Kafshët e pyllit tim
Materialet dhe mjetet: role letre, letra me ngjyra, gërshërë, ngjitës, kuti kartoni, fije pishe apo barishte të ndryshme që mund të gjenden në natyrë, pambuk, etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën duke e pyetur: Cilat kafshë jetojnë në pyll? Si duken ato? Me çfarë ushqehen? Çfarë lëvizje bëjnë kur ecin? Çfarë zëra lëshojnë ? etj.
Merren roletë e letrës dhe ngjyrosen sipas ngjyrës së kafshës që do të punohet. Në mungesë të roleve të letrës mund të merren edhe letra kartoni për të punuar trupin e kafshëve. Nga letrat me ngjyra punohen fytyrat e kafshëve dhe me ngjitës ngjiten tek trupi i kafshës me ngjyrën karakteristike të ngjyrosur më parë të kafshës. Pas përgatitjes së kafshëve të dëshiruara nga fëmija, përgatitet pylli ku do të vendosen kafshët. Pjesa ku do të vendosen kafshët mund të jetë një kuti kartoni e përgatitur nga prindi apo kujdestari, apo një koritë plastike. Fëmija u cakton vendet se ku do t’i vendosë kafshët dhe më pas ua përgatit vendin duke vendosur krande, degë pishe, boça pishe etj. Mbi pyll do të hedhë kokos, pambuk apo stiropor të grimcuar.
Pas punimit të kafshëve në pyll, fëmija do t’i lajmërojë familjarët e tjerë, apo do ta ftojë ndonjë shok apo shoqe dhe do ta prezantojë pyllin e kafshëve të tij/saj.
Sipas dëshirës, fëmija mund ta pasurojë pyllin e tij/saj edhe me kafshë të tjera.