Kafsha ime e preferuar

Materialet dhe mjetet: Fletë me ngjyra, laps i zi, ngjitës, ngjyra uji, material që ju gjendet në ushqimoren e shtëpisë, oriz, makarona të vogla, fasule etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Është pranverë, dhe një pjesë e mirë e kafshëve tashmë kanë dalë në terrenin e tyre. Flisni me fëmijën fillimisht për kafshët të cilat gjenden në rrethinën ku jetoni. Pastaj kërkoni nga fëmija që të tregojë për kafshën e tij/saj të preferuar.

Inkurajoni fëmijën fillimisht ta vizatojë dhe pastaj ta ngjyrosë siç dëshiron. 

Ndërkohë që fëmija është duke ngjyrosur, prindi përgatit tekstin të cilin do t’ia bashkëngjisë faqes së tretë të librit.

Tregimi

Na ishte njëherë një…………….. (fëmija vendos kafshën e preferuar). Pyeteni fëmijën se si duket kafsha (p.sh., e madhe, e vogël, ngjyra, dhe detaje të tjera të dukjes) dhe ju përshkruajeni me fjale. Pastaj e pyesni se ku jeton kjo kafshë dhe me kë, si sillet, dhe pse është kaq e dashur për fëmijën.

Ndërkohë që fëmija tregon, ju i përshkruani në fletën e librit. Bashkoni vizatimin me fjalët dhe ngjiteni në librin që tashmë e keni filluar. Festoni faqen e tretë duke kënduar ndonjë këngë për kafshët, apo edhe duke parë ndonjë video me llojin e kafshës të cilën e ka zgjedhur fëmija, duke i shtuar edhe kuriozitete të tjera që fëmija nuk i di.