Rezultati i pritur: Fëmija lëviz duke shpreh përjetimet nga vargjet e poezisë

Materialet dhe mjetet: Nuk ka mjete

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: çfarë të bën të gëzohesh më shumë? Po ti çfarë do të bëje t’i gëzoje të tjerët? Kur do të ndiheshe më mirë: kur ti i gëzon të tjerët apo kur të tjerët të gëzojnë ty? Si mendon, për çfarë kanë nevojë bimët që të rriten e të lulëzojnë? Lexojani fëmijës vargjet dhe kërkoni nga ai/ajo që t’i demonstrojë me mimikë dhe lëvizje.

Kur buzëqesh Dielli 

Lulet rriten shpejt-shpejt (dhe fëmija shtrin krahët lart drejt rrezeve të diellit)

Nga gëzimi lëshojnë aromë,

Një erë lehtë i valëvit, (fëmija lëkund trupin lehtë-lehtë duke imituar lëvizjet e luleve në erë)

Me fjalë të bukura i uron.

Të lumtura qofshi gjithmonë! (fëmija shpreh me mimikë lumturinë)

 

Buzëqesh Dielli, çelim ne (imiton hapjen e gonxhes ku duart e lidhura sipër kokës i hap si petalet e lules)

Zbukurojmë natyrën, (shpreh krenarinë duke shtrirë supet drejt)

Gëzimi nga brenda 

Na shndrit fytyrën.(dhe fëmija buzëqesh për të shprehur gëzimin)

 

Kërkoni nga fëmija të shprehë kuptimin e vargjeve “Gëzimi nga brenda na shndrit fytyrën”.

Ndihmojeni duke e përmbyllur së bashku mesazhin se “kur gëzohemi ne e tregojmë me fytyrën e buzëqeshur, nuk e themi me fjalë se jemi të gëzuar, sepse buzëqeshja jonë këtë e tregon”.