Rezultati i pritur: Fëmija tregon se si po rritet nga viti në vit duke i parë fotografitë e ditëlindjeve.
Materialet dhe mjetet: letër kartoni, vizore apo metër, laps, ngjyra etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Shihni me fëmijën se sa është rritur duke e pyetur si e hapte derën kur ishe më i/e vogël? (fëmija demonstron se i është dashur të ngrihej në majë të gishtave dhe doreza e derës i binte shumë lart mbi kokë) . Tani a e ka të vështirë ta hapë derën?
Së bashku, shihni edhe fotografitë e ditëlindjeve dhe pyeteni se në këtë fotografi çfarë ka mundur të bëjë? (p.sh. në moshën tre vjeçare), çfarë nuk kishte mundësi të bëjë? Po tani që është rritur dhe mund t’i bëjë ato veprime (p.sh. të lidhë lidhëset e këpucëve etj.) si ndihet? etj.
Merret letra e kartonit dhe prindi apo kujdestari vizaton gjirafën duke i vizatuar në trupin e saj edhe gjatësinë (0, 10, 20, 30, 40, 50, 60, 70, 80, 90, 100). Ngjyrosja e gjirafës bëhet nga fëmija e cila më pas pritet dhe vendoset në një vend (ku fëmija e sheh dhe mund të matet). Pas vendosjes së punimit në mur, fëmija matet dhe vendos një shenjë tek gjatësia e trupit të tij (prindi apo kujdestari shënon datën e matjes). Ky veprim mund të bëhet për çdo javë apo muaj për të parë se sa është rritur. Kjo gjatësi mund të përdoret edhe për lojë për matjen e lodrave për të parë se cila nga to është më e gjata dhe cila nga to mund të zgjatet përpjetë p.sh., lepurushi, arushi etj.