Eksplorojmë me shqisa
Dita për të bërë rrëmujë. ?
– Mbushni dy-tre legenë me objekte të ndryshme të buta ose të forta, të thata ose të njoma etj., dhe kërkoni prej fëmijëve që të provojnë të ecin zbathur nëpër secilin legen. Legeni mund të ketë ujë, gurë të vegjël të lëmuar, pambuk, kapakë të shisheve, copa të prera letre, rruaza nga varëse e nënës, makarona të vegjël, shkumë, misër, etj. [kujdesuni që fëmijët të mos i fusin në gojë dhe aktiviteti të realizohet në prani të prindërve/kujdestarëve ligjor].
– Për fëmijët më të vegjël: në një shishe qelqi hidhni ujë dhe pak detergjent enësh ose shampon trupi. Tundeni fort dhe do të fitoni shkumë. Me një pip fryni në shishen e qelqit dhe qindra flluska do të fluturojnë. Le të provojnë edhe fëmijët ta fryjnë pipëzën dhe të bëjnë flluska.
– Mund ta mbushni edhe një legen me ujë, në të cilin mund të hidhni pak ngjyrë dhe disa lodra dhe fëmijët mund t’i pllaqurisin duart në të e të kënaqen.
– Në një kuti fusni lodra apo objekte të tjera dhe në kuti hapeni vetëm një vrimë që fëmija të mund ta fusë dorën. Fëmija duhet ta gjejë se cili është objekti dhe si duket vetëm me prekje. Në kuti fusni 2-3 objekte që fëmija i njeh dhe i përdor. Herën tjetër mund ta rrisni numrin e objekteve dhe shumëllojshmërinë e tyre. Kjo lojë mund të zgjerohet edhe vetëm me shqisën e nuhatjes.
Loja zhvillon shqisat, koordinimin, ekuilibrin dhe emocionet.