Rezultati i pritur: Fëmija jep ide se si mund t’i rregullojë emocionet e veta kur është i zemëruar.

Materialet dhe mjetet: letër e bardhë, fotografi, laps, ngjyra, gërshërë, ngjitës etj. 

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se si manifestohet emocioni i zemërimit. Kur  është zemëruar së fundmi? Për çka zemërohet më shumë? Si e ka kaluar zemërimin? etj. 

Lexohet tregimi nga prindi apo kujdestari dhe më pas diskutohet për sjelljet e Mirit.

Çfarë po ndodh me mua?

Një ditë, Miri u kthye me vrap në shtëpi. Dera u përplas pas tij aq shumë sa nëna vrapoi për të parë se çfarë ndodhi. Por, Miri, ashtu siç ishte me këpucë nga rruga, ngjiti shkallët me të shpejt dhe hyri në dhomën e tij. U mbështet pas dere dhe bërtiti me aq zë sa kishte. Zëri i tij i ngjante zjarrit që del nga goja e dinozaurit. Ky zë prej zjarri ishte zemërimi që e pyeste Mirin “Nga t’ia fillojmë? T’i hedhim jastëk e mbulesë nga shtrati?”. “O, jo” – thoshte Miri, por kot nuk shikonte se çfarë bënte, zemërimi punonte. Mbulesa e shtratit përfundoi mbi dollapin e librave, duke shtyrë në dysheme gjithë çfarë kishte mbi tavolinë: librin që kishte filluar ta lexonte, vizatimet, lapsat me ngjyra e shumë gjëra të tjera. Iu dukën pak, u kthye te komodina dhe llambën që kishte afër shtratit e shtyu në dysheme. Krisma e saj sikur e përmendi dhe sytë i shkuan te lepuri i tij prej pelushi. Lepurushi sikur donte t’i thoshte “po ç’faj kam unë? A nuk ishim miq të pandarë? A nuk ëndërronim bashkë të udhëtonim në pyllin e kafshëve të mençura?” .

Miri filloi të merrte frymë thellë sepse donte ta mundte zemërimin. Numëronte ngadalë deri në 10. Zemërimi vinte e zvogëlohej, saqë Miri e mori një kuti të vogël dhe e mbylli në të. E shikoi mirë dhe tha ”Unë jam më i fortë se zemërimi, unë nuk lejoj ta lëndojë veten dhe as të tjerët, çdo problem ka zgjidhje”. Ia tha këto fjalë vetes dhe u ngrit e mori lepurushin në dorë. I kërkoi falje dhe filloi t’i tregojë se pse ishte zemëruar. I premtoi se kurrë më nuk do të ndodhte një gjë e tillë. Nëna e merakosur i binte derës për ta qetësuar Mirin. Miri hapi derën, iu hodh në përqafim dhe folën gjatë e gjatë për zemërimin. Ata vendosën disa rregulla në poster dhe e vendosën në mur. Kështu dukej posteri i tyre: 

Së bashku me fëmijën përgatiteni një poster me disa këshilla për ta tejkaluar zemërimin. Shembulli mund të përdoret si model. Veprimet dhe rregullat mund të ndryshohen varësisht se cilat mënyra janë më të mira për fëmijën.