Buqetë lulesh

Mblidhni kapakët e shisheve të ujit, të qumështit, të kosit, të çdo paketimi që ka kapak dhe do të keni një shumëllojshmëri të madhësive dhe ngjyrave.

Do t’ju duhen edhe disa shishe plastike, shishe prej qelqi, kuti të qumështit ose të jogurtit, etj.

Ju duhen edhe copëza letre nga gazeta, revista të vjetra, ose letra me ngjyrë, si dhe pambuk.

Ju duhet edhe pak ngjitës ose brumë i lëngët [edhe ai mund të përdoret si ngjitës shumë i mirë]

– Kërkoni nga fëmijët që t’i presin letrat në copa të vogla. Nuk ka rëndësi forma, mjafton të jenë copa të vogla.

– Në një letër ose karton, fëmijët krijojnë lule të formave dhe madhësive të ndryshme. Le t’i ngjisin kapakët e shisheve në letër me brumë.

– Në vend të kapakëve, fëmijët mund t’i bëjnë lulet edhe me copëzat e letrave të prera më parë, ose mund të përdorin edhe pak pambuk.

– Nëse fëmijët duan, mund ta vendosin buqetën me lule në ‘vazo’. Vazon mund ta bëjnë me shishet e ujit, me kutinë e qumështit apo të jogurtit ose me shishen plastike të ndryshme.

– Këto vazo, fëmijët mund t’i ngjyrosin ose mund t’i mbështjellin me letër.

Sa i përket buqetës së luleve, pyetini fëmijët për konceptet matematikore: sa janë më shumë? sa janë më pak? sa janë më të mëdha? sa janë më të vogla? sa janë më lart? sa janë më poshtë? e klasifikime tjera të ndryshme.

Kreativiteti, imagjinata, aftësitë matematikore, vetëbesimi, emocionet, vetëvlerësimi përforcohen shumë përmes këtij aktiviteti.