Një vit më i/e madh/-e
Materialet dhe mjetet: pjatë plastike apo letër kartoni, kapak të shisheve, plastelinë, letra me ngjyra, ngjitës, laps, vizore, dy shkopinj të vegjël me madhësi të ndryshme etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën se kur është ditëlindja e tij/saj. Në cilën stinë? Në cilin muaj? Sa vjet ke festuar ditëlindjen e fundit ? Sa vjet i ke pasur vjet para se t’i mbushësh 5 vjet (apo 4)? Sa vjet do t’i mbushësh kur të festosh ditëlindjen që vjen? etj.
Merret një pjatë plastike, e prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e/-ja ligjor/-e shënon pikat për muajt duke marrë model orën. Në pikat e vizatuara fëmija vendos ngjitës për të ngjitur kapakët. Kapakët duhet të jenë me ngjyra të ndryshme (në mungesë të kapakëve mund të vendosen letra me ngjyra duke i prerë në formë rrethore). Më pas, me dy shkopinj të vegjël me madhësi të ndryshme imitohen akrepat e orës. Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e/-ja ligjor/-e fillon t’i numërojë muajt nga janari, e më pas bashkë me fëmijën gjejnë muajin e ditëlindjes së fëmijës dhe vizatohet një ëmbëlsirë e vendoset tek muaji i ditëlindjes. Akrepi i shkurtër e i trashë vendoset tek muaji i ditëlindjes. Akrepi i gjatë e i hollë lëviz. P.sh., nëse fëmija ka lindur në maj, vendoset akrepi i shkurtër dhe nga aty fillon të lëvizë akrepin duke emërtuar muajt në vazhdim, p.sh. qershor, korrik………prill e tani “jam gjashtë vjeç/-e” dhe sërish fillon të kalojë me akrep nëpër muajt e vitit duke i emërtuar ata…dhe tani “jam shtatë vjeç/-e”. Pra, i thuhet “Viti fillon me muajin janar, e ti ke ditëlindjen në maj, në muajin e pestë të vitit”.
Ky aktivitet mund të punohet edhe me biskota, ku pas lojës fëmija e shijon ëmbëlsirën e vet. Më pas gjen edhe ditëlindjet e anëtarëve të tjerë të familjes dhe ua shpërndan biskotat për ditëlindjet e tyre. Pra e gjithë familja jonë ka ditëlindjet në këta muaj të vitit.
Nxiteni fëmijën t’i gjejë edhe muajt e ditëlindjeve të anëtarëve të tjerë të familjes.
Shkarkoni fletoren e punës KËTU.