Rezultati i pritur: Fëmija ndërvepron me të tjerët duke përgatitur gjëra të veçanta për ta.

Materialet dhe mjetet: kavanoz, letra të bardhë apo me ngjyra, ngjyra të ujit, brushë ngjyrash,  gërshërë etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se si urojmë për festa të ndryshme? Çfarë dhurata përgatisim për festa? Po si mendon nëse do të përgatisnim një dhuratë pa blerë asnjë gjë, por që do të kishte shumë vlerë të madhe, që do ta gëzonte shumë…? (për personin që do ta merr), ke ndonjë ide?

Fëmija jep idetë e tij/saj dhe shtoni: Po sikur të gjitha urimet, gjithë ato që ia dëshirojmë, të zënë pak vend, ku mendon se mund t’i vendosim? etj.

Merret kavanoza dhe pikturohet me ngjyra të ujit sipas dëshirës së fëmijës. Lihet që të thahet. Në letrat e bardha apo edhe në ato me ngjyra vizatohen gjëra që personi që do t’i merr i çmon shumë. Gjatë punës pyesni fëmijën se pse do ta gëzonte ky vizatim, si do t’i tregosh, p.sh. çfarë simbolizon një zog? Po një lule? etj. Vizatimet priten dhe vendosen në kavanoz. Një letër urimi me fjalë, shkruhet mendimi i fëmijës dhe lidhet me penj rreth kapakut të kavanozit. Kavanozi mund të zbukurohet edhe me detaje të tjera. 

Personit që i dhurohet fëmija ia përshkruan mesazhin e secilit vizatim/simbol që ka punuar. P.sh., për lulen: që je lulja më e bukur për mua, etj.