Rezultati i pritur: Fëmija ndërton pallatin duke këmbëngulur që ta ngre sa më lart atë.
Materialet dhe mjetet: kapëse rrobash për tharje, shkopinj me ngjyra.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se me çfarë ndërtohen pallatet? Sa kate janë pallatet në qytet dhe cila nga to është më e larta? Pyeteni fëmijën se, nëse do të ishte arkitekt/e, me sa kate do ta ndërtonte pallatin e tij/saj? Pse do ta ndërtonte aq të lartë dhe, për të qenë i qëndrueshëm, çfarë materiali/materialesh do të përdorte për ndërtim?
Merren kapëset e rrobave për tharje dhe shkopinjtë me ngjyra dhe demonstrohet në fillim nga prindi apo kujdestari dhe më pas provohet nga fëmija. Që të jetë më interesante sfida, pas ngritjes së pallatit, provohet edhe me peshën se sa rëndë mund të mbajë një kat i pallatit kur është i ndërtuar mirë e fort. Por, mund të provohen edhe modele të tjera për lojë.