Stina e bardhë

Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë A4, pambuk, laps, ngjitës, letra me ngjyra, gërshërë etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e bashkëbisedon me fëmijën duke e pyetur: “Cilat ishin stinët e vitit? Si ishte pranvera? Si ishte vera? Cila stinë ishte pas verës? Në cilën stinë vjen Babadimri? Pse për dimrin themi se është stinë e bardhë? Nga vjen bora? Çfarë bëjmë me borë?” etj. Këto pyetje do të nxisin bashkëbisedimin për të dalë deri te aktiviteti që do të zhvillohet.

Së bashku me fëmijën shikohen modelet, bisedohet se cilat materiale janë në dispozicion dhe cili model do të punohet. Fëmija përzgjedh modelin dhe hulumton dhe gjen materialet e nevojshme apo përdor materiale të ndryshme sipas dëshirës. Pasi të bëhet përgatitja për fillimin e punës, fëmija fillon të punojë, dhe vetëm aty ku ka nevojë mund të ndihmohet apo këshillohet, pra atëherë kur ai/ajo kërkon ndihmë.

Sipas dëshirës, lexohet apo mund edhe të mësohet poezia “Borë moj e bardha borë”.

Borë moj e bardha borë / bjerë shtruar ndonjë orë / sa zbardhi fare toka që të lozim ne me topa / dhe ashtu pak e ngapak / do të ngremë një xha plak / pastaj Ceni ynë skulptor / do t’i vë një fshesë në dorë.

Nxiteni fëmijën të përdorë sa më shumë materiale dhe t’i shtojë më shumë detaje punimit të tij/saj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkarkoni fletën e punës KËTU.