Shëtitje në natyrë – Pema në dimër

Materialet dhe mjetet: shkopinj druri, letër, ngjitës, pambuk ose letër tualeti.

Zhvillimi i aktivitetit: Me fëmijën dilni në shëtitje në një natyrë afër shtëpisë apo banesës. Vëzhgoni natyrën së bashku me fëmijën dhe ndërkohë bisedoni se si ndryshon natyra përgjatë katër stinëve.

Mblidhni së bashku me fëmijën tuaj disa shkopinj të vegjël druri që gjinden në natyrë me qëllim të krijimit të një peme në shtëpi. Bisedoni edhe për pemën, se si duket ajo në stinën e dimrit, dhe zgjidhni së bashku cilat t’i merrni për në shtëpi sepse së bashku do të punoni pemën e dimrit në shtëpi me thuprat/degët e vogla që mblidhni bashkë.

Në shtëpi, së bashku me fëmijën mund të filloni t’i ngjisni thuprat. Së pari bëni një ngjitës (me miell dhe ujë), e nëse veçse keni ngjitës artificial atëherë përdoreni.

Lejoni fëmijën ta modelojë pemën me degët e mbledhura me ndihmën e ngjitësit. Mbi këtë pemë mund të vendosni ca copa pambuku apo letra tualeti të bardha, të copëtuara në pjesë të vogla, duke i ngjitur mbi degë.

Lejoni fëmijën të kënaqet dhe bisedoni me të se si pemët ndryshojnë në dimër dhe si ne mund të përdorim materiale natyrore për të krijuar një vepër të bukur artistike. Shpresojmë ta shijoni këtë aktivitet arti dimëror me fëmijën tuaj!