Gjejmë të njëjtat
Materialet dhe mjetet: lodra dhe figura e tyre / fruta dhe figurat e tyre/ perime dhe figurat e tyre, letër e bardhë dhe marker ose laps.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot i keni disa mundësi për ta organizuar lojën. Sipas figurave në vazhdim, ju mund ta bëni këtë lojë me fëmijën tuaj me lodrat e tij/saj ose me frutat që i pëlqejnë më shumë apo me çfarëdo objekti që e keni në shtëpi. Lojën mund ta bëni edhe vetëm me 2 objekte, në varësi të moshës së fëmijës.
Në rast se keni lodra/fruta/perime dhe figurat e tyre, atëherë uleni fëmijën përballë dhe mes jush vendosni shportën me lodra ose perime apo fruta dhe tregojini fëmijës një figurë dhe stimulojeni që t’ju japë nga shporta atë çka tregon figura.
Ju mund edhe t’i vizatoni në një letër konturet e disa objekteve të pastra dhe të sigurta që i keni në shtëpi dhe rreth e qark letrës t’i vendosni objektet. Nxiteni fëmijën që të vendosë objektin e duhur në konturin e duhur. Lejojeni fëmijën të provojë aq herë sa ka nevojë, kini durim – fëmija juaj ka nevojë për kohë. Kjo është lojë – i rëndësishëm është angazhimi juaj i përbashkët dhe mënyra se si ju reagoni ndaj lojës së fëmijës. Fëmija duhet të kënaqet – ky është kushti që ai/ajo të mësojë e të zbulojë gjëra të reja dhe pozitive. Ju përgëzojeni edhe për përpjekjet që bën edhe kur e gjen objektin në formën e duhur.