Rezultati i pritur: Fëmija e formon emrin e tij/saj duke vargëzuar në radhë shkronjat 

Materialet dhe mjetet: Letër kartoni, letra me ngjyra, marker, gërshërë etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Së bashku me fëmijën provoni të germëzoni emrin e fëmijës me tinguj, p.sh. A–N- I- L-A. Provoni në secilin gisht të ketë një tingull (sikur kur numërojmë me gishta).

Fëmija shkruan emrin e tij/saj në një fletë të thjeshtë dhe thotë “shkronja e parë e emrit tim është ‘A’, e dyta ‘N’, e treta ‘I’, e katërta ‘L’ dhe e pesta është prapë shkronja ‘A’”.

Fëmija ndihmohet në përgatitjen e letrës së kartonit e cila duhet të jetë në formë shiriti dhe hapen vrimat nga ku duhet të kalojnë shiritat e letrave me shkronja. Hapen vrima aq sa ka shkronja emri i fëmijës. Merren letra me ngjyra apo letra të bardha dhe priten në shirit në masën e hapësirës së vrimës në letrën e kartonit. Në shiritat e letrës, prindi apo kujdestari shkruan shkronjat e mëdha të emrit të fëmijës. Duhet të merret parasysh që në shiritin e parë të jetë shkronja e parë e emrit, në të dytin shkronja e dytë e kështu me radhë dhe njëherazi duhet pasur kujdes që nëse emri përmban dy shkronja të njëjta (ANILA) të jetë edhe në shiritin e pestë në këtë shembull. Fëmija fut shiritin e parë në vrimat e hapura në letrën e kartonit dhe e tërheq shiritin e shkronjave derisa të jetë e paraqitur shkronja e parë e emrit të tij/saj.