Sinjalet e Qiellit

Materialet dhe mjetet: Enë prej letre (si në foto), pambuk, ngjyra të ndryshme dhe ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Qielli ka sinjale të shumta, por ne sot kemi menduar që në mënyrë shumë të veçantë të ju prezantojmë fëmijëve tanë 3 prej këtyre sinjaleve me anë të aktiviteteve. Detajet e tjera si yjet mund t’i krijoni vetë, gjithashtu edhe materialin me ngjyrë në formë të ylberit mund ta krijoni me anë të fletave të bardha duke i ngjyrosur si në foto.

Bashkë me fëmijët ne fillojmë të krijojmë hënën dhe iu tregojmë që hëna në qiell e ka një sinjal shumë të veçantë, ajo na lajmëron  neve që tani është nata, dhe dita ka përfunduar. Pastaj fillojmë të krijojmë diellin bashkë, duke e krijuar diellin me materialet që i kemi përmendur më lartë ne iu tregojmë fëmijëve që edhe dielli është sinjal në qiell, ai na lajmëron neve se përveç se është ditë dhe nata ka përfunduar gjithashtu dita do të jetë e nxehtë. Po ashtu do të krijojmë edhe retë, ne iu tregojmë fëmijëve që ato janë një sinjal shumë interesant i qiellit sepse ato janë thuajse tërë kohën në qiell, shumë herë mund të na lajmërojnë që është ditë por jo shumë nxehtë, kurse kur retë e marrin një ngjyrë më të errët qielli po na lajmëron që së shpejti do të bie shi. Gjatë realizimit të aktivitetit le të fokusohemi më shumë tek komunikimi me fëmijët, duke iu lënë hapësirë që edhe ata vetë të imagjinojnë, le t’iu bëjmë edhe pyetje p.sh. çfarë sinjali ishte dielli, ah po sinjal i shiut duke lejuar vetë fëmijët të flasin dhe t’i nxisim ata.

Pasi të keni përfunduar edhe aktivitetin për të krijuar hënën, diellin dhe retë, vendosini ato tek dera, muri apo kudo qe fëmijët të dëshirojnë, në mënyrë që ata t’iu prezantojnë edhe anëtarëve të tjerë të familjes se cilat janë sinjalet e qiellit.