Çfarë di të bësh më mirë?
Materialet dhe mjetet: Letra me ngjyra, letër e bardhë, marker (laps, ngjyra), ngjitës shirit, qese me fasule.
Zhvillimi i aktivitetit: Së pari përgatitet qesja me fasule nga prindi apo kujdestari, duke e marrë një copë stofi duke e mbushur me fasule apo edhe me drithëra të tjerë dhe më pas qepet (në mungesë të stofit merret një çorapë e vogël apo e shkurtër e fëmijës dhe mbushet me fasule dhe më pas lidhet). Letra e bardhë A4 ndahet në katër pjesë dhe në të vizatohen apo vendosen fotografi me veprime të ndryshme, p.sh., duartrokitje, vallëzim, këndim, rrahje këmbësh, kërcitje gishtash etj., varësisht se çfarë dëshironi të bëni me fëmijën. Vizatimet apo fotografitë me këto veprime vendosen mbi letrat me ngjyra. D.m.th., secila letër me ngjyra e ka një fotografi me një veprim.
Pas përgatitjes së materialeve caktohet një vend në dysheme që kufizohet me ngjitës shirit (rreth beli etj.) brenda të cilit duhet të qëndrojë fëmija dhe një vend ku do të vendosen fleta me veprime.
Jepen udhëzimet për fëmijën se si do të luhet loja. Fëmija hedh qesen me fasule tek letrat me veprime. Kur qesja bie mbi një letër, fëmija duhet ta bëjë atë veprim, p.sh., të këndojë nëse qesja ka rënë në letrën duke kënduar këngën që e pëlqen më shumë, e nëse bie tek letra me kërcitje gishtash, fëmijë ritmizon ndonjë këngë apo lojë muzikore, e kështu me radhë.
Pasi loja luhet aq sa dëshiron fëmija, uluni dhe bashkëbisedoni duke e pyetur: çfarë bëre më mirë (këndove, vallëzove etj.)? Ku ke dëshirë të ushtrosh më shumë që ta bësh më mirë? etj.
Loja mund të luhet edhe duke i vendosur fotografitë në faqet e zarit.
Shkarkoni fletën e punës KËTU.