Qenushi i vogël
Materialet e nevojshme: Nuk ka nevojë për material të veçantë.
Tea sot ka dalë për shëtitje së bashku me prindërit. Mali është gjelbëruar dhe ka shumë lule të bukura përreth. Ajo vrapon dhe mbledh një tufë me lule dhe i afrohet babit e i thotë: Shih sa lule të bukura që kam mbledhur, çfarë të bëj me to tani? Kam një ide, po sikur të bëjmë një kurorë me to dhe t’ia dhurojmë gjyshes?
Mami, eja ta bëjmë një kurorë se po kam dëshirë t’ia dhuroj gjyshes.
– Në rregull, më pëlqen shumë ideja, ajo do të gëzohet shumë. Na duhet edhe një fije bari që ta mbështjellim me lule. – Unë e gjej një, atje poshtë tek ajo pema. Tea vrapoi drejt pemës, dhe sapo iu afrua asaj filloj të thërriste: mami, babi, ejani këtu shpejt!
Të dy prindërit iu afruan dhe ç’të shikonin, një qenush i vogël, i palarë dhe që dukej se kishte kohë pa ngrënë. Tea e vogël sa nuk ia nisi së qarit: oh sa gjynah, qenushi i vogël. Mami, ma jep sanduiçin tim t’ia jap qenushit, po edhe xhaketën time për ta mbuluar se po ka të ftohtë. Të dy prindërit panë njëri-tjetrin dhe një shkëlqim i veçantë përshkroi sytë e tyre. Të lumtë Tea, sa mirë që të shkoi në mend të kujdesesh për qenushin e vogël! Ata i ofruan ushqim dhe e mbështollën me një pecetë.
Babi, a mund ta marrim në shtëpi – pyet Tea.
– Çfarë thua nëse e çojmë në shtëpinë e qenve, atje do të gjejë shumë shokë e shoqe si dhe veterinarin që do të kujdeset për të.
– Po ky është shumë i vogël, ndoshta frikësohet.
– Aty do të kujdesen për gjithçka, mos u brengos Tea!
– Mami, sa mirë që unë do t’i çoj një kurorë gjyshes dhe njëkohësisht do t’i tregojmë për qenushin e vogël! Të dy prindërit e përqafuan Tean dhe përfunduan së bashku kurorën për gjyshen. Ndërsa qenushi i vogël filloi të kërcente dhe argëtohej me të gjithë ndërsa bënin kurorën e luleve.
Mbasi të përfundoni leximin, bisedoni me fëmijën tuaj se sa është e dobishme të kujdesemi për kafshët, sidomos ato shtëpiake. Në të njëjtën kohë diskutoni me fëmijën se si nuk duhet t’i afrohet kafshëve kur është vetëm.