Lojra me litar
Kërcimi me litar ende është loja e parapëlqyer në mesin e shumë lojrave të fëmijëve. Loja luhet vetëm apo në grup. Qëllimi i lojës është ta zhvillojë koordinimin sy-këmbë dhe qëndrueshmërinë.
Janë dhënë tre lojë me litar që mund të zhvillohen varësisht prej kushteve dhe numrit të fëmijëve si dhe cilën lojë fëmija pëlqen më shumë.
Loja 1 – Dy fëmijë qëndrojnë në të dyja anët e litarit dhe e rrotullojnë atë me të njëjtin ritëm derisa në mes kërcen një fëmijë. Nëse fëmija nuk arrin t’i koordinojë lëvizjet me rrotullimin e litarit humbet lojën dhe në lojë hyn fëmija tjetër.
Loja 2- Kërcimi individual luhet me një fëmijë në mungesë të fëmijëve të tjerë. Litari nga pas kalon mbi kokë dhe bëhet kërcimi për ta kaluar litarin duke kënduar:
-hopa –hopa kërcej në litar
-për shoqen / shokun tim malli m’ka marr [dhe e thotë emrin e shokëve dhe shoqeve të grupit të tij/saj]
Loja 3 – Loja me llastik të mbyllur luhet me tre e më shumë fëmijë [sikur në foto]. Dy fëmijë hyjnë me këmbë në llastik duke e vendosur atë nën gjunjë, mbi rrethin e këpucëve dhe fëmija i tretë kërcen sipas modeli të dhënë: loja fillon me 1-dy këmbët brenda, 2-më pas kërcen në anë e djathtë duke e kaluar vetëm këmbën e djathë jashtë, 3-pastaj majtas, 4- të dyja këmbët jashtë dhe 5- kërcim me të dyja këmbët brenda. Nuk është me rëndësi që të ndiqen hapat e njëjtë sipas udhëzimit. Ajo çfarë kërkohet është që kur fëmija kalon në anën e djathtë të thotë “djathtas” kur futet me të dyja këmbët brenda të thotë “brenda ”. Qëllimi është përdorimi i fjalëve: jashtë, brenda, majtas , djathtas.