I kombinojmë format
Kjo është java e frutave dhe fëmijët i duan shumë frutat.
Në një tas apo shportë të vogël, së bashku me fëmijën mblidhni të gjitha frutat lodër që i keni në shtëpi.
Ju mund t’i shtoni edhe frutat e vërteta që i keni në shtëpi. Ju duhen po ashtu edhe disa figura të frutave, të cilat mund t’i gjeni në ndonjë libër ose mund edhe t’i vizatoni vetë.
Vendosini të gjitha këto në dysheme dhe uluni së bashku me fëmijën.
Filloni duke i kombinuar frutat në foto me frutat lodër ose frutat e vërteta.
Një herë filloni ju e më pas fëmija e ndjek modelin tuaj.
Bëni gabime me qëllim në kombinimin e frutave dhe shikoni reagimin e fëmijës.
Lejojeni fëmijën ta bëjë kombinimin e frutave në letër me frutat lodër ose frutat e vërteta disa herë.
Në mungesë të frutave lodra, ju mund t’i prisni në mes [në dy pjesë] figurat e frutave. Sigurohuni që formati i faqes me fruta të jetë të paktën A4.
Përzini të gjitha letrat me gjysmat e frutave dhe nxiteni fëmijën që t’i bëjë bashkë 2 gjysma duke e krijuar një frut.
Vazhdoni kështu për të gjitha frutat. Mund të kërkoni prej fëmijës që ta thotë edhe emrin e frutit.