Bora më e shijshme e vitit

Materialet dhe mjetet: vezë, sheqer, letër, laps, gërshërë.

Zhvillimi i aktivitetit: Shumë fëmijë e duan borën për të luajtur, por disa tjerë e duan borën edhe për ta shijuar. A shkrihet shpejt? A është shumë e ftohtë? Çfarë shije ka? Të gjitha këto janë nga kureshtja e tyre për të zbuluar sa më shumë ambientin ku jetojnë. Kësaj radhe do të përgatisim një borë të ëmbël në shtëpi duke luajtur një lojë interesante me fëmijën, garat për të gjetur cili numër fshihet nën pjatën e qelqit. Fillimisht krijoni disa numra në letër bashkë me fëmijën. Më pas, në një enë të thellë vendosim një ose dy të bardha të vezës me dy lugë të plota sheqer, i rrahim me mikser derisa ta fitojmë kremin e bardhë të trashë (shllagun). Fëmijën lejojeni ta mbajë mikserin me ndihmën tuaj sepse për të është shumë atraktive të shohë se si vezët dhe sheqeri shndërrohen në një masë të bardhë dhe të shijshme. Më pas, pjatat e ëmbëlsirave të qelqit që keni në shtëpi i vendosni mbi tavolinë dhe shpjegojani lojën fëmijës suaj. Mbani në dorë disa letra me numra të shkruar, p.sh.: 2, 4, 3, 1, 5… Pastaj thoni: “Unë këtë letër me numër do ta vendosi nën pjatë të qelqit dhe mbi pjatë do të vendosi pak krem të bardhë në mënyrë që ta mbuloj numrin, ndërsa ti duhet ta lëpish gjithë kremin për ta parë se cili numër fshihet nën pjatë”. Loja vazhdon derisa kremi të përfundojë, duke i ndërruar numrat sa herë që në pjatë përfundon kremi dhe fëmija juaj qëllon numrin që fshihet nën pjatë të qelqit. Kjo lojë do t’ua mbushë shtëpinë me shumë buzëqeshje dhe shumë shije të ëmbël.