T’i zbulojmë shkronjat

Ky aktivitet kërkon që bashkë me fëmijën të dilni në mjedisin që ju rrethon, dhe fëmija të përpiqet të gjejë në natyrë objekte të cilat kanë formën e shkronjave. Fëmija duhet ta prek objektin dhe ta tregojë formën e shkronjës, p.sh., një ulëse e bërë nga një gomë makine ka formën e shkronjës O.

Fëmija ndjek me dorë formën e rrumbullakët të saj dhe prindi e përforcon duke e theksuar bashkë me të shkronjën. Pasi të gjendet shkronja, fëmija duhet të përpiqet të identifikojë ndonjë emër që e përmban shkronjën e identifikuar. Nëse është e mundur fëmija duhet t’i fotografojë objektet me formën e shkronjave dhe në fund të bëj një album me to, ose mund t’i vizatojë disa prej objekteve që i ka gjetur dhe t’i ngjesë në murin e dhomës dhe t’iu shpjegojë edhe anëtarëve të tjerë të familjes për gjetjet që ka bërë.