T’i matim objektet

Materialet dhe mjetet: Fije peri, shkopinj.

Zhvillimi i aktivitetit: Aktivitetin e sotëm do ta zhvilloni si brenda në shtëpi ashtu edhe në natyrë. Fëmija duhet të zgjedhë disa objekte në shtëpi dhe t’i masë me një fije peri. Fillimisht zgjidhen objekte të cilat nuk janë shumë të mëdha, p.sh., gota e ujit, luga, fletorja dhe ndonjë lodër që e pëlqen fëmija. Ndërkohë merret një copë letër e bardhë në të cilën fëmija vizaton gjatësinë e perit (p.sh. fëmija mat me pe gotën, dhe e shtrinë në letër për ta vizatuar aq sa ka qenë gjatësia e perit për gotën). Kështu, fëmija vizaton në letër gjatësinë për katër apo pesë objekte. Duke diskutuar me fëmijën, klasifikoni cili objekt ishte më i gjatë e cili më i shkurtër. Në vend të perit mund të përdoren shkopinj. 

Ndërkohë mund të dilni jashtë me fëmijën dhe t’i kërkoni atij apo asaj që të masë disa hapësira me këmbë apo me hapa. Diskutoni me fëmijën se cilat hapësira ishin me më shumë hapa apo këmbë e cilat me më pak hapa apo këmbë. 

Si shpërblim, sot mund t’ia gatuani fëmijës një ushqim të preferuar.