Shtëpi e ëmbla shtëpi

Materialet dhe mjetet: blloqe druri, lego, kuti të ndryshme kartoni (apo në mungesë të tyre shtëpia mund të vizatohet në letër A4, laps, ngjyra, gërshërë) etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën për hapësirat në shtëpi (banesë), sa kate? sa dhoma? cila është më e madhe? për çka  i shfrytëzojmë hapësirat në shtëpi (banesë) etj.

Modelimi i shtëpisë bëhet sipas dëshirës dhe materialeve në disponim. Në mungesë të lodrave të drurit apo legove, shtëpia mund të punohet me letër të bardhë A4 duke e vizatuar shtëpinë.

Mund të merrni shembullin e dhënë. Merret një letër e bardhë A4 duke e palosur sipas modelit. Prindi e ndihmon fëmijën në thyerjen e letrës në tri pjesë, kurse fëmija te pjesa e pullazit thyen letrën në formën e trekëndëshit. Më pas fëmija vizaton brenda dhe jashtë shtëpinë sipas dëshirës së tij/saj.  

Sipas dëshirës mund të lexohet edhe poezia: Shtëpi e ëmbla shtëpi/ Shtëpia ime është e bukur,/ Është e vogël si kuti /Plot me lodra edhe libra /Është dhoma nën çati./Ka shtëpi të mëdha /Ndërtesa me shumë kate,/Por më e bukura është e imja,/Nuk e ndërroj jo me pallate./Aty jemi bashkë /gjithë familja ime, /Punojmë, qeshim e ndihmojmë /Aty buron lumturia jonë.

Nxiteni fëmijën të përshkruaj shtëpinë/banesën me sa më shumë fjalë. Ofroni materiale të ndryshme ta ndërtoj atë sipas dëshirës së tij/saj.