Shpezët shtegtarë

Materialet dhe mjetet: letra nga gazeta apo revista, ngjitës të lëngshëm (apo miell dhe ujë), dy enë, brushë, qese najloni.

Zhvillimi i aktivitetit: Është mirë që bashkëbisedimi të fillojë me një gjëegjëzë. Këmbët e gjata, sqepin e gjatë, me të njëjtën ngjyrë, portokalli, seç shikon me këmbë në ujë atje tek moçali (lejleku).

Pyeteni fëmijën: cilat shpezë kthehen në pranverë tek ne? Ku ishin deri më tani? Pse ikën në vjeshtë? Si e ndërtojnë folenë e tyre? Si mund t’i ndihmojmë zogjtë të ndërtojnë folenë? Ku do ta vendosim? etj.

Merret një enë plastike e cila mbështillet me qese najloni të kuzhinës apo qese najloni të thjeshtë. Në një enë tjetër hidhet ngjitësi i lëngshëm apo në mungesë të ngjitësit përzihet miell dhe ujë në një masë e cila mund të zhytet brusha. Letrat e gazetave apo revistave priten në shirita të hollë. Në enën e mbështjellë me qese najloni vendoset një shirit letre në pjesën e brendshme dhe me brushë lyhet me ngjitës. Çdo shirit që vendoset lyhet me ngjitës. Vendosen shirita aq sa duket se është e mjaftueshme që foleja të jetë e qëndrueshme. Pasi të thahen shiritat e letrës, foleja mund të qëndrojë mbi tavolinë. Në të mund të vendosen lëvozhga vezësh apo vezë të punuara nga gazeta duke e lagur me ngjitës dhe duke e ndrydhur me dorë që t’i jepet forma e vezës, si dhe gjendet ndonjë fotografi e lejlekut apo dallëndyshes e vendoset në fole.

Shkarkoni fletën e punës KËTU .