Rruga për në bjeshkë

Inkurajoni fëmijën që ta ndërtojë një rrugë në shtëpi të cilën do ta quaj “rruga për në bjeshkë”. Aktiviteti i sotëm lidhet me përdorimin e gjësendeve të cilat gjenden në shtëpi dhe kanë forma gjeometrike.

Rruga duhet të jetë sa më e gjatë pasi që nga shtëpia deri në bjeshkë është mjaft larg. Çdo objekt të cilin do ta vendosë në rrugë fëmija duhet ta prezantojë përmes një nevoje për një vizitë në bjeshkë. P.sh. nëse fëmija e merr një objekt në formë rrethi, do të duhet ta lidhë me nevojën për një pjatë për t’u ushqyer, nëse merr një vijë mund të tregojë që lumi është i drejtë, nëse merr një katrorë mund ta justifikojë me batanijen që duhet ta ketë se atje bën ftohtë natën. Ky aktivitet zhvillohet së bashku në mes të prindit dhe fëmijës, në mënyrë që prindi të tregojë për gjësende që fëmija mund të mos jetë i vetëdijshëm që duhen gjatë vizitave në bjeshkë. Ka rëndësi që fëmija ta kuptojë që gjatë verës, bjeshka është e freskët dhe se temperaturat janë më të ulëta se në qytete apo në vende të banueshme.