Qiriu në vizatim

Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë, lapsa me ngjyra, qiri, shkrepëse.

Zhvillimi i aktivitetit: Sa më afër të jemi Vitit të Ri, aq më me padurim fëmijët e presin borën. Pavarësisht nëse bie apo nuk bie borë, ne mund t’ua japim ndjenjën e borës fëmijëve tanë me mundësi të ndryshme. Fillimisht kërkoni nga fëmija juaj të vizatojë një natyrë me borë, ashtu siç e imagjinon, me shumë shtëpi apo me shumë pemë. Më pas ndizni një qiri që e keni në shtëpi dhe prisni pak të shkrihet. Sapo të fillojë të shkrihet, jepjani qiriun fëmijës dhe së bashku filloni të pikoni mbi vizatim me pikat e qiriut të shkrirë, mbi pemë, mbi çatitë e shtëpive dhe kudo në vizatim. Pikat e shkrira të qiriut do të ngrihen shpejtë në vizatim dhe do të marrin formën e borës mbi vizatim. Do të fitoni një vizatim artistik dhe të veçantë duke ia dhënë fëmijës suaj mundësinë që të eksplorojë mënyra të ndryshme të krijimit të borës në vizatimet e tij/saj. Bota e fëmijës pasurohet sa më shumë materiale shtëpiake të përdorim në punimet e tij/saj si dhe kreativiteti i tij/saj do të jetë i gjerë. Nëse keni qirinj me ngjyra të ndryshme, mund të formoni edhe lule pika-pika, të cilat edhe në prekje u japin fëmijës një ndjenjë shumë të mirë.