Zogu që kërkon shtëpi
Materialet dhe mjetet: Pako lëngjesh (qumështi apo ndonjë kuti ushqimesh), ngjyra, gërshërë, spango, ngjitës, farëra apo thërrime buke etj. Zhvillimi i aktivitetit: Prindi apo kujdestari lexon tregimin “Zogu që kërkon shtëpi”.
Zogu që kërkon në shtëpi
Një ditë bora binte lehtë-lehtë mbi tokë. Alba dhe Blerti që po shikonin nga dritarja dhe kënaqeshin teksa bora mbulonte tokën, pullazet e shtëpive dhe çdo gjë ishte bërë e bardhë. Mund t’i dalloje vetëm nga forma se ç’mund të jetë: pemë, veturë, a biçikletë. Vëlla e motër shihnin në dritare dhe e pyesnin se ç’mund të jetë ai objekt i mbuluar me borë? Dhe cili prej tyre nuk ia qëllonte kishte të drejtë të bënte pyetje. Ata shihnin, bisedonin dhe mezi po prisnin të ndalej bora që të dilnin në oborr për ta bërë një dordolec qesharak. Një zog erdhi tek dritarja dhe sikur donte t’u thoshte: kam të ftohtë, jam i uritur. Fëmijët e shihnin me keqardhje zogun dhe Alba u kthye nga Blerti: “Blerti, më duket sikur zogu kërkon ushqim”. Blerti: “Mua më duket sikur zogu kërkon shtëpi, sepse nëse s’ka shtëpi, prapë bora do t’ia mbulojë ushqimin. Së pari t’ia ndërtojmë shtëpinë e brenda saj do t’i vendosim ushqimin, kështu zogu do të ketë edhe shtëpi edhe ushqim”. Ata, pa një pa dy, ia nisën punës. Nga pakot e ushqimeve ndërtuan shtëpinë e zogut. Në të vendosën thërrime buke dhe shtëpinë e varën me spango në një pemë. Ata çdo ditë i dërgojnë ushqim zogut, e zogu çdo ditë vjen në dritare për t’i falënderuar fëmijët zemërmirë.
Bashkëbisedohet me fëmijën për tregimin duke e pyetur fëmijën se pse ishin zemërmirë Alba dhe Blerti.
Merret një kuti ushqimesh dhe vizatohet vrima ku do të hyjë zogu. Prindi apo kujdestari hap vrimën me gërshërë dhe më pas fëmija e ngjyros dhe e modelon sipas dëshirës shtëpinë e zogut. Pas ngjyrosjes dhe modelimit të shtëpisë së zogut, prindi apo kujdestari ndihmon fëmijën të lidhë spangon në kuti dhe vendosin se në cilin vend do ta varin shtëpinë e zogut.
Shkarkoni fletën e punës KËTU.