Peshku i miqësisë

Materialet dhe mjetet: Një fletë e bardhë dhe një marker apo laps. 

Zhvillimi i aktivitetit: Në ditën e sotme do të përgatitni fletën e pestë të librit. Prindi duhet të përdorë një fletë të bardhë dhe të vizatojë një peshk ashtu, siç është dhënë në foto. Në luspat e peshkut, së bashku me fëmijën do të shkruani se për çfarë i nevojiten shokët e shoqet fëmijës suaj, dhe se çfarë bëjnë ata së bashku që ta ruajnë miqësinë. Ndërkohë që fëmija duhet t’ju tregojë se çfarë të shkruani, sigurisht që ju duhet të stimuloni diskutimin me fëmijën rreth gjërave që ai duhet të bëjë më shokët dhe shoqet e tij/saj. Ndërkohë që ju shkruani atë që thotë fëmija, inkurajoni fëmijën të gjejë shkronja të ndryshme të cilat i njeh, apo edhe të numërojë se sa luspa ka peshku i vizatuar. Ndërkohë që ju shkruani në njërën, pyeteni fëmijën se edhe sa kanë mbetur për t’u mbushur. Në fund, fëmija i ngjyros të gjitha luspat sipas dëshirës me ngjyrat e tij/saj të preferuara. 

Mos harroni, sot është dita e fundit e librit, prandaj pyeteni fëmijën se çfarë dëshiron t’i shtojë librit të tij/saj.

Në fund duhet të ngjisni fletën e fundit të librit, në të cilën vendosni datën se kur është realizuar libri i parë i fëmijës.