Përgjegjësitë e mia
Materialet e nevojshme: Përzgjedhja e materialeve do të bëhet në përputhje me detyrat që merr fëmija.
Krijimi i përgjegjësive është një proces i rëndësishëm për fëmijën tuaj. Në mënyrë që të promovoni besimin e fëmijës tuaj në aftësinë e tij/saj për t’u kujdesur për mjedisin e tij/saj, kërkoni që të zgjedhë një punë të përditshme të cilën mund ta kryejë. Fillimisht ia kujtoni fëmijës aktivitetin e djeshëm, dhe sot duhet të zgjedhë një detyrë të cilën dëshiron që ta marrë përsipër ta kryej vetë, p.sh. ujitjen e luleve, të përpiqet t’i fshijë pluhurat, të përpiqet të shtrojë tavolinën me ju etj.
Për ta lehtësuar këtë proces sot ju do të luani së bashku, duke ndërruar rolet (prindi bëhet fëmija dhe fëmija prindi). Zhvilloni një situatë ku ju jeni duke shtruar tavolinën, mund të përdorni edhe figura të tjera në tavolinë, si p.sh. lodra, kukulla etj., në mënyrë që biseda të jetë sa më e këndshme. Ju duhet ta modeloni sjelljen e fëmijës gjatë kësaj detyre.
Po ashtu ju mund të bëni luajtjen e roleve edhe për detyra të tjera, kështu që fëmija do të ketë mundësi t’ju vëzhgojë, dhe do ta ketë më të lehtë ta marrë atë obligim. Për ta kujtuar obligimin e tij/saj, fëmija mund të bëjë një vizatim të vetes duke e kryer atë, dhe ta vendosi në një vend të dukshëm, për t’ia kujtuar vetes.
Fëmijës mund t’i jepen detyra për ujitjen e bimëve, shëtitjen e qenit ose pastrimin e dyshemesë. Komplimentojeni për sjellje të mirë dhe të qëndrueshme me lavdërime specifike, të tilla si: “Bimët duken bukur dhe të shëndetshme sepse i ke ujitur rregullisht” ose “Faleminderit që e shëtit qenin çdo ditë. E di që ai e pëlqen këtë!”