Ngjyrosja me klikera
Frutat janë të shëndetshme për fëmijën pasi që janë të pasura me vitamina. Sot do të flisni me fëmijën tuaj për rëndësinë e frutave, si ruhen ato dhe sa shpesh duhet të përdoren. Pyesni fëmijën nëse është në dijeni se çfarë vitaminash gjenden në fruta. Bashkë me fëmijën cilësoni katër apo pesë fruta të cilat fëmija mund t’i vizatojë në mënyrën e tij / saj në një fletë të bardhë, dhe pastaj tregojuni se cila vitaminë gjendet në sasi më të madhe tek secili frut. Shpjegoni fëmijës se çfarë ndodhë gjatë kohës që nuk është sezoni i frutave, ku ruhen frutat dhe gjithashtu si përgatiten frutat e thata. Për këtë ju mund t’i jepni mundësi fëmijës që një frut ta fus në një vend të errët dhe ta vëzhgojë përgjatë ditëve në vazhdim se si thahet.
Në fund të aktivitetit inkurajoni fëmijën ta vizatojë frutin e preferuar. Pastaj letrën e vendos në një kuti këpucësh apo kuti tjetër dhe e shtrin. Merr klikerat të cilët i lyen me ngjyrën e frutit dhe i sjell vazhdimisht në kuti derisa të ngjyroset fruti. Preferohen ngjyrat e ujit, por mund të përdoret edhe ngjyruesi ushqimor. Në mungesë të klikerave mund të përdoret një copë sfungjer. Është e rëndësishme që fëmija të argëtohet.