Pema e mirësisë

Materialet dhe mjetet: letër, ngjitës, gërshërë.

Zhvillimi i aktivitetit: Me anë të letrës formoni një pemë dhe ngjiteni atë në mur. Bisedoni me fëmijën për veprimet e mira dhe mirësjelljen duke i dhënë shembuj konkret se çfarë nënkuptojmë me veprime të mira. Tregoni fëmijës që gjatë kësaj jave, apo muaji, ju do të vendosni një zemër në degën e pemës sa herë që fëmija e bënë një veprim të mirë. Në zemër ju mund të shkruani veprimin e mirë që e ka bërë fëmija dhe pastaj ta vendosni në pemë.

Në vend të pemës ju mund të përdorni ndonjë formë tjetër, për shembull të dekoroni një kavanoz dhe aty të fusni zemrat, ose të përdorni ndonjë objekt i cili do të përfaqësojë veprimet e mira, p.sh. gurë apo rruaza, dhe ta mbushni kavanozin çdo ditë sa herë që fëmija të bëjë një veprim të mirë, të kujdeset për veten apo për dikënd, të dhurojë dashuri, etj. Dhe në fund të javës ju mund të numëroni sa zemra apo objekte tjera keni në kavanoz dhe po ashtu mund t’ia bëni fëmijës një shpërblim për të gjitha sjelljet e mira që ka treguar. Mund të jetë një ushqim që i pëlqen, një shëtitje së bashku, etj.