Mes nesh

Zhvillimi i aktivitetit: Krijoni një sinjal familjar – një veprim përmes të cilit thuani “të dua” pa thënë në fakt “të dua”. Mund të jetë për shembull tri shtrëngime të dorës apo lëvizja e gishtit të vogël; çfarëdo që të jetë, por që mund ta shprehni pa thënë asnjë fjalë. Veprimin dhe kuptimin e tij do ta kuptoni vetëm ju dhe fëmija, dhe/ose anëtarët tjerë të familjes. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur fëmijët fillojnë të rriten dhe nuk ndjehen rehat ta shprehin dashurinë e vet ndaj prindërve në publik. Kur fëmija e kupton konceptin e sinjalit dhe fillon ta përdorë atë, ju mund t’i zhvilloni edhe disa sinjale të tjera. Mund të jetë një sinjal kur dëshironi të thuani ”të lutem mos më ndërprej”, “jo”, “të lutem më ndihmo”, “ndalo”, “po tregohesh shumë i sjellshëm”, etj.