Lojë me ujë dhe rërë

Ky aktivitet zhvillohet sipas mundësive të fëmijës ( në det, afër lumit, apo nëse në oborr ka rërë të mbetur nga ndonjë punim i bërë në shtëpi. Nëse asnjëra nga këto nuk janë në dispozicion atëherë mbushet një enë e gjerë, e cekët ku fëmija luan me lodrat e tij/saj)

Loja me rërë ndihmon në zhvillimin e muskujve të vegjël dhe të mëdhenj, si të duarve po ashtu edhe të këmbëve. Duke ecur në rërë fëmija ndjen nxehtësinë e rërës duke kërkuar të fusë menjëherë këmbët në ujë apo duke mbathur sandale. Heton shkakun dhe pasojën(nxehtësia e madhe e diellit ngroh rërën që na detyron të kërcejmë nga djegia)

Zhvillimi i aktivitetit: Ky aktivitet ndihmohet nga i rrituri në fillim vetëm si ndihmës/e. Hapet gropa me lopata (lodra) apo me duar, varësisht nga lloji i rërës. Vendoset folie plastike mbi gropën e hapur dhe mbulohet pjesa anësore me rërë. Mbushet me ujë dhe nëse uji merret nga burimi i ujit dhe është i ftohtë, lihet të ngrohet aq sa është e përshtatshme për fëmijën. Pas përfundimit të punës në rregullimin e basenit, fëmija lojën e zhvillon sipas dëshirës së tij/saj.