Loja me fjali apo storie rreth piknikut.

 

Për këtë aktivitet mund të përdoren letra të bardha me të cilat të krijohen 24 karta [ose edhe 12].  Këto karta me ndihmën e fëmijës,  i ndani në disa kategori, rreth objekteve që duhet të merren në një piknik në natyrë.

Gjashtë [ose tre] prej tyre mund të jenë kafshët apo shpendët të cilët jetojnë në mal, gjashtë janë me ngjyra, gjashtë me sende që duhen marrë me vete dhe gjashtë me ushqime që përgatiten për t’u marrë në piknik.

Kjo lojë mund të luhet  edhe me anëtaret e familjes, por mund ta zhvillojë edhe fëmija vetë.

-Fëmija apo anëtarët e familjes duhet të tërheqin katër karta. Me objektet që iu bien duhet të ndërtojnë një fjali apo  storie të shkurtër. Psh, zog, kuqe, shportë dhe hamburger. Me këto katër karta fëmija duhet të ndërtojë një storie të shkurtër apo nëse është në gjendje të përfshijë të katër fjalët në një fjali të vetme.  [P.s.h  Një zog me pendla të kuqe më vështronte ndërsa merrja hamburgerin nga shporta.]  Kjo lojë është mjaft argëtuese kur zhvillohet nga katër persona, pra prindërit përfshihen gjithashtu.

Nëse nuk arrin të krijojë një fjali apo storie, fëmija duhet të marrë një kartë ndihmëse e me radhë derisa të jetë në gjendje t’u japë kuptim kartave në një fjali.

Kjo lojë i mëson fëmijës të mbajë mend emrat dhe gjithashtu të identifikojë fjalët që lidhen me objektet.