Loja “Bart e mos lësho”

Rezultati i pritur: Fëmija ec me kujdes duke mos lëshuar letrat në dysheme

Materialet dhe mjetet: gazeta, fleta të përdorura etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Merren letra të ndryshme gazete apo fleta të bardha, me ngjyra etj. Fëmija i ndanë me dorë me madhësi përafërsisht sa dora e tij/saj. Caktohet një vijë “rrugë” nga duhet të ecë fëmija, duke vendosur edhe startin dhe fundin. Në fillim rruga është më e shkurtër. Copat e letrës të ndara nga fëmija, prindi apo kujdestari ia vendos fëmijës mbi kokë, fëmija hap krahët dhe copat e letrës vendosen edhe nëpër krah dhe në çdo vend të trupit ku mund të rrinë. Prindi apo kujdestari jep shenjën e startit dhe fëmija ec me kujdes nëpër vijën/rrugën e caktuar.

Kur fletat bien në tokë shoqërohen me emocione të theksuara nga ajo që përjeton fëmija, brohoritje apo nervozë, pikëllim apo dëshpërim. Të flasim për këto emocione me fëmijën; t’i identifikojmë përjetimet gjatë lojës.

Nxiteni fëmijën të kalojë edhe në rrugë zig-zage të krijuara nga vet ai/ajo brenda në shtëpi apo në oborr, apo ta bëjë rrugën më të gjatë.