Kubat e akullit me fruta apo lëpirëset e akullta.

Fëmijëve u pëlqen shumë që të eksperimentojnë. Për këtë aktivitet nevojitet një portokall të cilit i shtrydhet lëngu dhe përdoret si bazë për kubat e ngrirë. Për t’i ngrirë kubat mund të përdoret kutia e akullit që ka frigoriferi apo kuti të tjera të vogla plastike. Fëmija duhet t’i zgjedhë frutat që ka në shtëpi dhe t’i presë në copa të vogla.

Në kutinë e plastikës hidhet lëngu i portokallit dhe aty vendosen copëza të frutave. Kubëzat vendosen në frigorifer për ngrirje. Pas disa orëve kubëzat mund të përdoren nga fëmija për konsumim. Ky eksperiment mund të realizohet edhe me shtresa. Në një shtresë vendoset pak lëng portokalli apo lëng i sheqerosur limoni, vendosim copa të vogla molle, futet në frigorifer për t’u ngrirë, pastaj shtohet një shtresë e dytë me një frut tjetër e kështu me radhë. Në fund kubi është me ngjyra të ndryshme dhe shije të ndryshme. Ky aktivitet organizohet nën mbështetjen e prindit. Kubëzave mund t’iu vihet edhe një shkop apo një pipëz, që të shërbejnë si lëpirëse.