Ngjyrat që shkumojnë
Materialet dhe mjetet: sodë buke [bikarbonati], uthull, bojëra uji të lëngshme ose ngjyruesit ushqimorë, disa tasa qelqi ose plastike, shishe të vogla.
Zhvillimi i aktivitetit: Tregojini fëmijës që sot do të bëjë një eksperiment. Lejojeni të hedhë në një shishe uthullën dhe disa pika nga bojërat e ujit ose nga ngjyruesit ushqimorë. Në një tas tjetër le të hedhë sodë buke.
Më pas, fëmija hedh ngadalë uthullën e ngjyrosur në tasin me sodë buke [bikarbonati]. Tasi me sodë buke do të fillojë të shkumojë dhe do të marrë ngjyra të ndryshme.
Lejojeni fëmijën ta bëjë këtë disa herë, duke ndryshuar ngjyruesit ose bojërat e ujit në uthull. Rezultati në të gjitha rastet do të jetë emocionues për fëmijën. Lejojeni edhe ta prekë shkumën e ngjyrosur [kini kujdes të mos prekë fytyrën me të].
Pas përfundimit të eksperimentit, fëmija bashkë me ju pastron tasat dhe vendin ku ka luajtur. Kjo është po aq e rëndësishme sa edhe loja.